Anulohen disa fluturime në Aeroportin e Prishtinës

Vazhdon greva në aeroportin e Prishtinës

Edhe sot po vazhdon greva në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pavarësisht thirrjeve për ndërprerjen ose pezullimin e saj. Nga SINKON dhe ASHNA është njoftuar se greva sot do të jetë 8-orëshe, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit të sotëm deri në orën 16:00.

Menaxheri për planifikim të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Driton Hyseni ka bërë të ditur se për sot janë anuluar dhjetëra fluturime.

“Gjithsejt të planifikuara kemi pasur 19 arritje e 19 shkuarje, por për shkak të grevës janë anuluar 8 arritje dhe 8 shkuarje. Aktualisht mbeten 11 arritje dhe 11 shkuarje në plan të realizohen. Kuptohet se disa nga fluturimet janë riprogramuar duke evituar kornizën kohore të grevës së paralajmëruar për sot.”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Dje kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, Artan Hasani në një lidhje direkte në emisionin “Prite të gjelbrën” për RTV21, tha se kjo grevë do të vazhdojë edhe sot dhe nesër, duke i shtuar orët e grevës. Ndërsa, të dielën më 17 shkurt do të pezullohet greva për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, një ditë pas këtij përvjetori do të futet në grevë 24-orëshe./21Media

Back to top button