Përshkallëzohet dhuna në javën e 10-të të protestave në Hong Kong

Përshkallëzohet dhuna në javën e 10-të të protestave në Hong Kong

Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kong-ut janë anuluar për shkak se me mijëra protestues bllokuan terminalet, pas një mobilizimi edhe më të madh për shkak të zemërimit që shkaktuan përplasjet e dhunshme me policinë gjatë mbrëmjes.

Mbrëmjen e djeshme protestat u përshkallëzuan pasi hynë në javën e dhjetë. Me mijëra qytetarë raportohet se janë lënduar nga përplasjet me policinë, shkruan rtv21.tv

Sot, protestuesit hynë në aeroport duke bllokuar pasagjerët dhe duke anuluar të gjitha fluturimet. Më herët gjatë ditës policia hodhi gaz lotsjellës kundrejt protestuesve edhe në një stacion hekurudhor të mbyllur.

Në rrethin Wan Chai, bomba benzine dhe tulla u hodhën mbi policinë nga ana e protestuesve. Një numër protestuesish, përfshirë një polic, u plagosën gjatë përleshjeve.

Policia gjithashtu u filmua duke shkrepur plumba gome në një distancë të afërt brenda një stacioni të metros, ndërsa oficerët e tjerë u panë duke rrahur njerëz me shkopinj në shkallët lëvizëse.

Hong Kong-u është përfshirë nga trazira dhe dhuna, tash e dy muaj. Protestat nisën për të kundërshtuar një projekt-ligj që lejonte ekstradimin e banorëve të Hong Kong-ut në Kinë.

Edhe pse qeveria tani e ka pezulluar projektligjin, i cili do të lejonte ekstradimet në territorin e Kinës, demonstruesit duan që ai të tërhiqet plotësisht.

Kërkesat e tyre janë zgjeruar, duke përfshirë thirrjet për më shumë demokraci, dhe dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam./21Media