Anulohet një pjesë e konkursit të Trepçës, konsiderohet për ‘sy e faqe’

Sot protestuesit pritet të takohen me Avokatin e Popullit

Ndërmarrja “Trepça” ka anuluar një pjesë të konkursit për të cilin ka mbi dy javë që po protestohet. Konkursi është anuluar për 17 pozita (38 punonjës), nga gjithsej 120 pozita në Stantërg janë anuluar 10, kurse nga 30 pozita në Artanë janë anuluar 2, dy pozita në Fabrikën e Pajisjeve të Procesit si dhe 3 në departamentin e sigurimit fizik.

Përkundër këtij anulimi, sot prapë është protestuar para Bordit të Trepçës. Arsim Musa nga këshilli organizativ protestues konsideron se anulimi i 10 përqindshit të konkursit është bërë veç sa për ‘sy e faqe’.

“Protesta ka me vazhduar ende deri në realizimin e këtyre padrejtësive që na janë bërë që është mënyra e konkursit që e kanë anuluar ata mbrëmë për 37 pozita është sa për sy e faqe për të na frikësuar neve për tu kthyer mbrapa. Ne nuk do te ndalemi, s’do të kthehemi mbrapa, neve s’do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona, anulimin e bordit, menaxhmentit dhe anulimin e këtij konkursi që është tipik politik dhe farefisnor. Ka padrejtësi, ka parregullsi, kemi dëshmi faktike, ne nuk do të ndalemi”, deklaroi ai.

Musa ka bërë të ditur se sot do të takohen me Avokatin e Popullit, kurse gjatë javës me kreun e Qeverisë, Albin Kurti, i cili u kishte premtuar zgjidhje atyre.

“Po sot do të kemi takim me avokatin e popullit, e kemi bërë peticionin, qitash do ta dorëzojmë. Do të takohemi edhe me Albin Kurtin, do t’i qartësojmë disa gjëra se si ka ardhur deri te shpallja e konkursit, si është bërë pranimi i punëtorëve, sa ka zgjatë mënyra e testit, si u bë rekrutimi i tyre, të gjitha do t’i qartësojmë në zyrën e Albin Kurtit.”, deklaroi më tej Musa.

21Media ka provuar të kontaktojë me kryeshefin ekzekutiv të bordit, Basri Ibrahimi, por nuk ka marrë përgjigje.

Konkursi është shpallur më 24.09.2019, në kohë të fushatës zgjedhore./21Media

Back to top button