27 vjeçari përballet me mundësinë për të mbyllur karrierën para kohe

27 vjeçari përballet me mundësinë për të mbyllur karrierën para kohe

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Klubi kampion i Shqipërisë që pret të njohë fatet e sezonit nëse do të luajë apo jo në Champions, ka bërë të ditur se ashtu si në rastin e dënimit për trukime, edhe kjo çështje do të shkojë në Arbitrazh.

Pavarësisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqësore nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Skënderbeu në një njoftim për shtyp tha se palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Skënderbeu beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë së Bajram Jashanicës.

Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, 27 vjeç, përballet me mundësinë për të mbyllur karrierën para kohe, në rast se edhe CAS nuk ul dënimin. Jashanica përdori një ilaç të quajtur Prednisolut për shkak të një alergjie, gjithsesi në listën e ndaluar të Agjencisë Antidoping.

Në një rast analog, francezi Samir Nasri u dënua vetëm 6 muaj.