Apeli me rastin e vërtetimit të dënimeve e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë

Apeli me rastin e vërtetimit të dënimeve e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë

Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimet ndaj ministrave Endrit Shala, Dardan Gashi si dhe ndaj ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku për gjuajtjen me alltia në odën e Fatmir Limajt.

Ministri Dardan Gashi dhe ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku ishin dënuar me nga 1,700.00 euro gjobë, ndërsa Ministri i Tregtisë Endrit Shala ishte dënuar me 2,400.00 euro

Apeli me rastin e vërtetimit të dënimeve e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë e cila kishte kërkuar dënime me të rënda për të akuzuarit.

Sipas Gjykatës së Apelit dënimi i dhënë nga Gjykata e shkallës së parë është proporcional me përgjegjësinë penale të tyre si dhe me rrethanat lehtësuese.

Rrethanat lehtësuese të cilat janë marrë për bazë për dy ministrat dhe ish-kryetarit e Skenderajt janë: “Pranimi i fajësisë, pendimi për veprën penale, mbajtja e fëmijëve, mos ndëshkueshmeria e mëparshme si dhe përgjigja në thirrjet e policisë dhe gjykatës”, thuhet në vendim.

Dardan Gashi, Sami Lushtaku dhe Endrit Shala, u dënuan për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt.

Ata në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës./kallxo.com