Apostolova: BE e përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë

Me rastin e lansimit të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017”

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Nataliya Apostolova deklaroi sot se BE i kushton vëmendje të madhe sfidave klimatike të Kosovës dhe nevojave për mbrojtjen e mjedisit.

Ajo këto komente i bëri me rastin e lansimit të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017” në Kosovë”, në të cilin mori pjesë edhe ambasadorja gjermane Angelika Viets.

Apostolova ka thënë se në vitin 2014, BE vendosi që të prezantojë Javën e Diplomacisë Klimatike për të luftuar sfidat e ndryshimeve klimatike në nivel global përmes delegacioneve të BE-së.

Apostolova ka shtuar se një vendim i tillë erdhi pas dy dekadave të përvojës së BE-së në zhvillimin dhe zbatimin e politikave ambicioze klimatike.
“Pra, ne jemi të kënaqur që kemi mundësinë për të ndarë eksperiencën tonë me partnerët tanë në Kosovë, të cilën po e bëjmë për herë të parë. Ne po dëgjojmë se ka shqetësime në rast se merren veprime ndaj ndryshimeve klimatike mund të ndikojë në rritjen ekonomike. Por në fakt, e vërteta është e kundërta e kësaj. Ne jemi të gatshëm të ndajmë njohuritë tona dhe kemi vendosur tashmë bashkëpunim të gjerë të politikave klimatike me disa nga partnerët tanë kryesorë në Kosovë. BE-ja i kushton vëmendje të madhe sfidave klimatike të Kosovës dhe nevojave për mbrojtjen e mjedisit”, tha Apostolova.

Po ashtu, Apostolova theksoi se BE-ja ka investuar më shumë se 40 milionë euro në sektorin e ambientit dhe më shumë 20 milionë euro janë investuar në masat e efiçiencës së energjisë.

Ndërsa, Angelika Viets, ambasadore gjermane në Prishtinë, tha se Qeveria e vendit të saj është e përkushtuar t’i ndihmojë Kosovës dhe ta mbështesë përmes projekteve në fushën e efiçiencës së energjisë dhe promovimin e energjisë së ripërtërirë.

Back to top button