BE: Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës në fushën e arsimit

BE: Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës në fushën e arsimit

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka lëshuar një deklaratë lidhur me vendimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Me keqardhje kemi kuptuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka dështuar në përpjekjet për të rinperterire anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, thuhet në një reagim për media.

Sipas deklaratës, të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës.

“Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet tutje në reagimin e zyres së BE-së në Kosovë.

Sipas Apostolovës është dëshperuese të shohësh që shumica e tyre mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’i siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme.

“Qeveria e ardhshme duhet të adresojë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me AKA-në dhe të sigurojë që pas dy vjetësh, kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë. Më e rëndësishmja, Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës”, ka porositur ajo.

Apostolova ka theksuar se Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm të ndihmojë këtë proces.

Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Ky vendim u mor në mbledhjen e ENQA-s më 19 shtator./21Media