Apostolova tha se demarkimi me Malin e Zi duhet të zgjidhet në Kuvend

Apostolova tha se demarkimi me Malin e Zi duhet të zgjidhet në Kuvend

Shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova gjatë takimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje foli për demarkacionin me Malin e Zi tregoi edhe si duhet bërë demarkimi me Serbinë. “Me Malin e Zi demarkimi duhet të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, e ai me Serbinë duhet të zgjidhet me dialog”, tha Apostolova.

Apostolova më tutje u tha bashkëbisedueve nga Vetëvendosja se janë për dialog të hapur ”ngase vetëm me dialog mund të kuptohemi”.

”Pres të jeni konstruktivë dhe kam parë që keni mendim shumë të fuqishëm në disa çështje. Në numër të madh kemi qëndrim të njëjtë”, tha Apostolova.

Ajo pastaj tregoi një rast konkret ku qëndrimet e zyrës që drejton janë identike me VV-në. “Para një viti kemi nisur kampanjën për financimin e partive politike dhe transparencën e tyre, këtu kemi qëndrim të njëjtë”, tha Apostolova.

Vitin e kaluar Apostolova kishte kërkuar nga subjektet politike që t’i publikojnë financat e tyre dhe që ato financa të auditohen, shkruan Kallxo.com

Financat e saj i kishte publikuar vazhdimisht Vetëvendosja, ndërsa disa subjekte tjera nisëm t’i bëjnë publike pasqyrat financiare vetëm pas kërkesave nga Apostolova.

Takimin me Apostolovën e vlerësoi të frytshëm shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca. “Ishte takim i frytshëm. Prania e BE-së do të na ndihmojë të kemi Kuvend më të përgjegjshëm e demokraci më të zhvilluar”, tha Konjufca.

Albulena Haxhiu u ankua se Qeveria Haradinaj po e shpërfill Kuvendin, ndërsa shprehu brengosje për varjen e kësaj qeverie nga votat e Listës Serbe.

Ndërsa,  Apostolova tregoi që Zyra e BE-së ka kërkuar nga GIZ-i një raport për situatën në arsimin kosovar, i cili tregoi se pritet të publikohet në dhjetor.