Aprovohet kërkesa e Haradinajt për shtesa për prokurorët specialë

Shtesa për prokurorët e speciales parashihen të jenë 400 euro, ndërkaq për kryeprokurorin 500 euro

Qeveria e Kosovës aprovoi kërkesën e kreut të ekzekutivit, Ramush Haradinaj lidhur me shtesat prokurorët specialë, kjo me qëllim të luftimit të korrupsionit.

Në mbledhjen e Qeverisë, Haradinaj e propozoi për aprovim kërkesën e Këshillit Prokurorial, që parasheh shtesa për prokurorët e speciales 400 euro, ndërkaq për kryeprokurorin 500, që në total janë 66 mijë e 800 euro.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sqaroi se shtesat për prokurorët special kanë qenë edhe më herët, por këtë vit ato janë ulur prej 800 euro qysh ishin më herët në 400, meqë pagat e tyre janë rritur këtë vit me vendimin e Qeverisë. Tahiri tha se realisht kjo është ulje.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli tha se është e nevojshme të fuqizohen të gjithë akterët, dhe tha se Qeveria dhe forcat politike janë ende prapa idesë që të procedohet ligji edhe për kategoritë tjera, që të zhvillohen edhe akterët tjerë.

Haradinaj tha se asnjëherë s’kanë hequr dorë nga ligji që parasheh rritjen e pagave edhe për sektorët tjerë, mirëpo sipas tij gjatë kësaj kohe ishin të fokusuar edhe në tema tjera.

Edhe pse kjo kërkesë u aprovua dhe nuk pati asnjë kundërshtim në mbledhjen e Qeverisë, nuk mbet pa reagime.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj tha se kjo kërkesë e Haradinajt po bëhet me qëllim që t’ua mbyll gojën prokurorëve special që po merren me rastin e tij. Për kërkesën e kryeministrit, reagoi edhe organizata ÇOHU, që e ka cilësuar si “ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”./21Media

Back to top button