"Ka qenë detyrë e jona dhe nder që të vijmë këtu"

“Ka qenë detyrë e jona dhe nder që të vijmë këtu”

Grupi i arbëreshëve që kanë ardhur për vizitë në Kosovë, të dielën së bashku me përfaqësues të komunës së Skenderajt, kanë vizituar kompleksin memorial” Adem Jashari”, në Prekaz.

Rosario Petta, përfaqësues i arbëreshëve, njëherësh edhe kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali, tha se secili arbëresh e ka për obligim që të nderojë heronjtë, që dhanë jetën për liri.

“Sot jemi jashtëzakonisht shumë të emocionuar dhe të nderuar që kemi mundësinë të nderojmë Adem Jasharin dhe familjen e tij. Secili arbëresh e ka për detyrë dhe e ka për nder që të mund të vij këtu dhe të nderojë heronjtë. Gjëja më e tmerrshme është se po flasim vetëm para 20 vjetëve, nuk ka qenë vetëm një luftë, por ka qenë tentativë që të shkatërrohet gjithçka. Në disa varreza pashë datën e lindjeve dhe pashë që disa kanë qenë dhe fëmijë dhe kjo është e tmerrshme”, tha ai.

Petta tha se është hera e dytë që vjen në kompleksin memorial “Adem Jashari”, për të nderuar familjen Jashari.

“Ka qenë detyrë e jona dhe nder që të vijmë këtu dhe atë minutë heshtjeje që e bëmë në nderim të tyre, ishte një minutë heshtjeje me shumë emocione. Është hera e dytë që unë vij këtu, por është një obligim moral për ata të cilët e dhanë jetën që t’i japin lirinë Kosovës”, tha Petta.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka emëruar këshilltar të jashtëm, para pak ditëve Rosario Petta, i cili është edhe kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali.

Ndryshe, grupi i arbëreshëve të Italisë, gjatë ditës do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe do të vizitojnë rezidencën e Ibrahim Rugovës.