Ardian Gjini iu lutet mësuesve: Mos e lëshoni nga duart respektin

Gjini: Ju meritoni respekt dhe e gëzoni atë! Mos e lëshoni nga duart për hir të matrapazëve!

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të fillojnë procesin mësimor, sipas tij mësuesit nuk duhet të ia humbin vlerën dhe respektin vetës për shkak të disa njerëzve për të cilët Gjini ka thënë se janë të iniciuar politikisht.

“Të dashur mësues,
Mësuesi i Kosovës nuk i ka lënë fëmijët jashtë bankave të shkollës edhe në kushte të rrezikut fizik dhe pa u paguar fare.
Paga e mësuesve po rritet pothuajse 15% në më pak se dy vite. Një mandat qeverisës, me këtë ritëm, premton rritje deri në 30 %.
Nesër do të publikohen pagat e shërbyesve civil të komunës. Le ta shohin të gjithë sa janë e të mos spekulojnë.
Po iu flas si bashkqytetar i juaji e jo si kryetar komune!
Lutja ime për ju është kjo:
Mos i leni fëmijët tanë jasht bankave të tyre për shkak të disa njerëzve që kanë agjendë puro politike!
Mos lejoni që të humbasë respekti i prindërve, i fëmijëve dhe i gjithë popullit për shkak të një grushti njerëzish që nuk mendojnë fare për ju!
Mos lejoni që të arrijmë në pikën kur puna juaj fisnike të konsiderohet nga populli vetëm një vend pune pothuajse i pamerituar dhe vetëm për rrogë!
Askush nuk e meriton këtë gjendje për shkak të një grushti që janë të gatshëm ta tregtojnë të ardhmen në këmbim të të sotmes!
Më së paku e meritojnë fëmijët që po humbin ditë pune dhe po dëmtohen emocionalisht;
E menjëherë pas tyre, nuk e meritoni ju mësues të dashur!
Ju meritoni respekt dhe e gëzoni atë! Mos e lëshoni nga duart për hir të matrapazëve!
Gjithmonë i juaji, unë që jam rritur nga një mësuese që ka punuar në kohët më të zorshme, edhe pa rrogë!“, ka shkruar Gjini në Facebook.

Të gjitha institucionet arsimore kanë hyrë në grevë që nga 14 janari. Siç ka paralajmëruar SBASHK greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor duke filluar nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe në Universitete do të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri sa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën e SBASHK për ngritjen e koeficienteve në Projektligjin e pagave për 30 % për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës./21Media

Back to top button