Alpinistja kosovare rrëfen për rrugëtimin e saj për RTV21

Alpinistja kosovare rrëfen për rrugëtimin e saj për RTV21

Arineta Mula, alpinistja kosovare e cila ngriti flamurin në majën më të lartë në Rusi, në një bisedë për rtv21 ka rrëfyer për vështirësitë dhe emocionet që i ka kaluar gjatë ngjitjes.

Për tre ditë ajo ka realizuar ekspeditën e saj pa udhërrëfyes, ku arriti të ngjitet në majën më të lartë në Evropë (Elbrus 5642m).

Mula ka thënë se vështirësi me të cilën u ndesh ishte gjuha, meqë sipas saj atje komunikojnë shumë pak ose fare pak në gjuhën angleze. Po ashtu edhe realizimi i ekspeditës pa udhërrëfyes ishte problematike, sepse sipas saj gjithë organizimin ishte dashur që ta bënte ajo vetë.

“Pa guide normal gjithçka ma vështirë se krejt vet është dashur me organizua edhe rezervimin në kampe. Plus kur të shohin që je pa guide nuk të marrin parasysh por e mira është që ka pas grupe edhe nuk pata problem për rrugë. I kam ndjek ata edhe i kam kalu shumicën “, ka thënë Mula.

Ajo ka treguar se gjatë ngjitjes mbretëronte mot i paparashikueshëm, i ftohtë dhe erëra të forta, e që sipas saj e kanë penguar në realizimin e fotografive.

“Problem pata deri i bëra fotot në maje të Elbrus,  dhe për shkak të frymës i kam nxjerr një  nga një flamujt. Ju kam kërkuar tre personave te ndryshëm të m’i bëjnë  fotot. Dmth kam nejt shumë në maje. Sepse  veç një person s’kish mundësi se tepër ftohtë pa dorëza. Me telefon janë bërë fotot”, ka thënë Mula për rtv21.tv

Mula ka thënë se ky rrugëtim për të ishte përvojë e bukur dhe se theksoi se ka takuar alpinistë nga vende të ndryshme, si: Izraeli, Zvicra, Rusia, Amerika, Polonia dhe Spanja.

Arineta Mula filloi aventurën e saj të re para disa ditësh. Këtë rrugëtim drejt Kaukazëve të Rusisë, Mula e realizoi pa guidë e pa pasaportë shqiptare. Mirëpo, ia doli.

Ajo dje ngriti flamurin në majën më të lartë të Rusisë dhe përmes disa fotografive që ka postuar në llogarinë e saj në Facebook, tregoi vendosmërinë e saj edhe pavarësisht kushteve jo të mira.

“Për Kosovën Tonë. Sot në mëngjes, ora 08:15, arrita ngjitjen e malit më të lartë ne Evropë, Elbrus 5642m. Falënderoj kryeministrin Ramush Haradinaj që më dorëzojë flamurin para nisjes që sot për herë të parë valojë në malin Elbrus”, ka shkruar Mula.

Kujtojmë se ky nuk është suksesi i parë e as i fundit për të.  Në vitin 2016 ajo ishte ngjitur në majën më të lartë në Afrikë, Kilimanjaro. Në vitin 2017 ishte ngjitur në majën më të lartë në botë Everest. E këtë vit ajo arriti majën më të lartë në Evropë, Elbrus./21Media