A.Rr ka keqpërdorur detyrën zyrtare

Loading...

A.Rr ka keqpërdorur detyrën zyrtare

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të pandehurit A. Rr.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar në organizatën ndërkombëtare UNHCR – Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ka kontaktuar me persona, duke iu premtuar ndërtimin e shtëpive dhe ndarjen e makinave të ndryshme për bujqësi.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë tjetër alternative, do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Në anën tjetër, Zyra e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë sqaroi se i dyshuari A. Rr aktualisht nuk është i punësuar në UNHCR.

“I dyshuari A. RR ishte një i angazhuar i jashtëm i UNHCR-së, të cilit i ishte ndërprerë kontrata në mars të vitit 2016. I dyshuari ishte i punësuar nga shkurti i vitit 2014 deri në mars të 2016 në zyrën e Gjilanit”, thuhet në reagimin e UNHCR-së.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./21Media