Pacolli bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt

Pacolli bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt

Policia e Serbisë ka arrestuar Nezir Mehmetaj. Ndaj arrestimit të tij ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli , i cili sot ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt.

Sipas Pacollit, Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit. Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare në ‘Merdare’. Rastin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Neziri jeton që 25 vite në Zvicër dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat. Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’. Me të në veturë gjendej nëna e tij dhe një kushëri, ndërkaq, që të dy janë liruar.

Neziri, përmes një mesazhi i ka thënë familjes së tij se janë duke e dërguar në Beograd, ndërkaq asgjë tjetër nuk dinë. Familja e Nezir Mehmetajt, ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit.