Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për falsifikim të dokumenteve

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për falsifikim të dokumenteve

Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i finalizimit të operacionit “DEPARTURE”.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë organizatori i grupit dhe 3 shtetas të tjerë, të cilët u premtonin kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara shtetasve, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin në  vende të BE-së me destinacion final Anglinë.

Të arrestuarit: 

I. B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’ (organizator);

A.C.,19 vjeç, banues në Koplik, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’, (këtij shtetasi iu gjetën në çantë kartat e identitetit italiane dhe kartat e shëndetit italiane të falsifikuara);

F. L., 25 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’;

K. A., 30 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’.

Të arrestuarit në momentin e arrestimit janë evidentuar me dokumente italiane të falsifikuara identiteti dhe shëndeti.

“Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë kapur nga Policia Kufitare me dokumente italiane të falsifikuara dhe konkretisht karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”,– njofton policia.

Sekuestrimi- Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë,  4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.

Ndërkohë operacioni ëhstë duke vijuar, ndërsa materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’./Oranews