Policia po kërkon edhe një person tjetër lidhur me rastin

Policia po kërkon edhe një person tjetër lidhur me rastin

Dje rreth orës 17:00, policia ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast vrasje e rëndë në tentativë, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona: Z. J, mashkull , 30 vjeç, shtetas i Kosovës dhe N.U, mashkull , 44 vjeç, shtetas i Kosovës, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor., ka njoftuar policia në një komunikatë për media.

Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Si rezultat i kësaj, rreth orës 23:00, policia ka arritur të identifikoj dhe të arrestoj dy persona të dyshuar. N.S, mashkull , 42 vjeç, shtetas i Kosovës dhe
F.A. mashkull, 32 vjeç, shtetas i Kosovës.

Personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që bazuar në hetimin fillestar dyshohet se në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër si i dyshuar, i cili është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë./21Media