Arrestohen gjashtë persona në Deçan

Të dyshuar për “vjedhje të rënda” dhe “grabitje me armë”

Policia e Kosovës javën që po lëmë pas, gjatë një pune operativo – hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë 6 persona të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” dhe “grabitje me armë”.

Personat e dyshuar të arrestuar lidhur me këtë rast janë: Xh. Th. lindur me 1975 m/k/sh, A. P. lindur me 1993 m/k/sh, L. P. lindur me 1988 m/k/sh, F. O. lindur me 1985 m/k/sh, B. K. lindur me 1991 m/k/sh, M. P. lindur me 1979 m/k/sh.

Sipas një njoftimi për medie nga policia rajonale e Pejës, në lidhje me rastet është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të njëjtin, ku me vendim të prokurorit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor.

“Këto vepra penale kryesisht janë vjedhje të rënda të ndodhura në shtëpi, banesa dhe dyqane afariste të qytetarëve të Deçanit me rrethinë”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet e koordinuara me njësitet përkatëse të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në këto raste konsiderojmë që janë siguruar prova të mjaftueshme për zbardhjen e të paktën 20 rasteve të “vjedhjeve të rënda” dhe “grabitjeve me armë” që dyshohet se janë kryer nga të dyshuarit e lartcekur.

Në këtë veprimtari intensive policore janë kontrolluar – bastisur disa lokacione, shtëpi dhe objekte përcjellëse që kanë qenë në shfrytëzim nga të dyshuarit në këto raste, ku gjatë kontrollit është arritur të gjenden dhe sekuestrohen: tri armë zjarri, sasi e konsiderueshme e municionit, sasi e konsiderueshme e stolive të arit,, sasi të parave të gatshme, një llap-top dhe një I-Pad, disa telefona celularë etj./21Media

Back to top button