Operacioni “Haraçi” vë në pranga dy të dyshuar

Operacioni “Haraçi” vë në pranga dy të dyshuar

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor dhe një qytetar me dyshimin të njëjtit kanë kryer veprën penale “Detyrim”.

Operacioni i koduar me emrin “Haraçi” është realizuar sot rreth orës 11:00 në Prishtinë ku hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar, njëri zyrtar policor i cili ka qenë duke shërbyer në Njësinë Speciale Operative kurse i dyshuari tjetër një qytetar.

“IPK fillimisht kishte pranuar një informatë lidhur me këto dyshime dhe kishte filluar një hetim paraprak. Pas ndërmarrjes të disa veprimeve hetimore dhe vërtetimit të informacioneve të pranuara, hetuesit e IPK-së kanë vazhduar hetimin në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës duke nisur edhe zbatimin e masave të fshehta të hetimit bazuar në urdhëresën e prokurorisë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Dy të dyshuarit me vendim të prokurorisë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./21Media