​Arrestohen pesë të dyshuar për grabitje dhe vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Gjilanit, ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për grabitje dhe vjedhje të rëndë.

Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se pesë të dyshuarit (meshkuj kosovarë) janë arrestuar si rezultat i një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve hetimore disa mujore.

“Arrestimi i të dyshuarve është bërë si rezultat i kontrollit me leje të prokurorit të shtetit në gjashtë (6) lokacione të ndryshme në komunën e Vitisë. Me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë në një rast ‘’Vjedhje e rëndë’’ i ndodhur me datën 01.06.2023 dhe në një rast ‘’Grabitje’’ i ndodhur me datën 05.10.2023 në një qendër tregtare në qytetin e Vitisë. Të dyshuarit në këto raste kishin arritur që të vidhnin dhe grabisnin shuma të konsiderueshme të parave të gatshme”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Pas arrestimit ata janë intervistuar, kurse prokurori i shtetit ndaj të dyshuarve ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë.

Back to top button