Arrestohen për skema piramidale e bixhoz të paligjshëm

Arrestohen për skema piramidale e bixhoz të paligjshëm

Njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, në kuadër të Policisë së Kosovës, ka kontrolluar trembëdhjetë lokacione në Prizren, ku janë arrestuar tetë persona për organizim të skemave piramidale bixhoz të paligjshëm.

Sipas policisë, të arrestuarit janë B. M., i lindur më 1977, F. K i lindur më 1998, B. M., i lindur më 1976, F. H., i lindur më 1976, L. A., i lindur më 1976, A. K., i lindur më 1996, A. B., i lindur më 1983, F. S., i lindur më 1971.

Gjatë kontrollit në tetë lokacione janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi relevante pesë shtëpiza të kompjuterit, njëmbëdhjetë telefona mobil, katërqind e tetëdhjetë e pesë euro, dhe tiketa të lojërave të fatit. Në lidhje me këtë operacion janë intervistuar personat e dyshuar, ndërsa për ecurinë e zbatimit të urdhër-kontrollit në vazhdimësi është informuar prokurori i shtetit dhe me vendim të prokurorit shtatë nga personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë. Në zbatim të urdhëresës kanë qenë të angazhuar zyrtarë policorë të njësive kompetente, të asistuar nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit si dhe Njësia për Krime Kibernetike e Policisë së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Policisë, sipas së cilës njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren do të vazhdojë me veprime hetimore në kompletim dhe referim të rastit në Prokurori./21Media