Arrestohen tre persona për grabitje me armë në Deçan

Të dyshuarit kanë grabitur një çantë me 8 mijë euro

Policia e Kosovës sot ka arrestuar tre të dyshuar për grabitje të armatosur në një parking të një qendre tregtare në Deçan.  Sipas policisë ngjarja ka ndodhur më 22 janar, ku viktimat derisa ishin duke dërguar pazarin ditor në bankë, nga vetura e tipit Pasat del i dyshuari, i cili me armë i ka kërcënuar viktimat dhe nën kanosje i ka grabitur çantën në të cilën ndodheshin rreth 8 mijë euro, duke u larguar në drejtim të panjohur.

“Policia e Kosovës pas një pune intensive operativo-hetimore me datën 24 janar 2019 ka arritur që të identifikojë dhe më pas të arrestojë 3 (tre) persona të dyshuar për ‘grabitje të armatosur’ dhe 2 (dy) persona të dyshuar të cilët gjenden në arrati, në kërkim policor.”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e policisë po ashtu bëhet e ditur se tek i dyshuari i parë i janë sekuestruar si prova materiale një armë e tipit “Zoraki M 906-B” dhe vetura e tipit Pasat me targa vendore, e cila dyshohet se ka qenë e përfshirë në rast.

Me vendimin e prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndalur për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme./21Media

Back to top button