Arrestohen tre të dyshuar, prej tyre dy janë zyrtarë

Operacion policor në Prishtinë dhe Kaçanik

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve të filluara në tetor 2019, sot me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka realizuar një operacion policor në Prishtinë dhe Kaçanik, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.

Personat e dyshuar janë arrestuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘ushtrim i ndikimit’, duke përvetësuar para të gatshme në vlera të ndryshme.

Lidhur me rastin janë arrestuar A. M., kryeinspektor në ARC – MPB, S. Xh. zyrtar policor në DHKEK dhe L. B. qytetar nga Kaçaniku.

Policia e Kosovës lidhur me këtë operacion policor, bazuar në autorizimin e prokurorisë kompetente, më datën 5 shkurt 2020 ka njoftuar dhe ka ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës, pasi në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë policorë.

Njëri nga zyrtarët policorë L.M., i arrestuar mbrëmë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka qenë i dyshuar edhe në rastin të cilin Policia e Kosovës e ka realizuar sot, përderisa zyrtari tjetër L.O., po ashtu i arrestuar mbrëmë, ka qenë i dyshuar për shkelje administrative si dhe nën masën e planifikuar për suspendim.

Gjatë këtij operacioni policor të realizuar sot janë kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet e punës së personave të dyshuar, si dhe në lokacionet e banimit të tyre ku janë konfiskuar prova materiale si dëshmi për rastin.

Me aktvendim mbi ndalim nga ana e Prokurorisë Themelore të gjithë personat e arrestuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Back to top button