Arrestohet gjinekologu që ka kryer abortin te e mitura

I është caktuar masa e ndalimit për 48 orë

Sot është ftuar për intervistë i dyshuar me inicialet F.A për rastin e së miturës në Drenas.  Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e Inspektoratit Policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë”.

“Me kërkesë të Inspektoratit Policor, zyrtarë nga Inspektorati Shëndetësor kanë kryer sot edhe një inspektim specifik në një ordinancë private mjekësore e cila pas këtij inspektimi është mbyllur për kohë të pacaktuar”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente.

 F.A  është i dyshuar i tretë për këtë rast.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji policit hetues V.V i cili dyshohet për abuzim seksual me të miturën nga Drenasi.  Policia po ashtu arrestoi sot edhe Sh. Xh, arsimtarin e dyshuar për keqpërdorim seksual të 16-vjeçares. Iu caktua masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërkaq, gjatë ditës, me moton “Përdhunuesit në burg”, para stacionit të policisë në Prishtinë u mbajt protestë ku u kërkua që përdhunuesit të marrin dënimin e merituar./21Media

Back to top button