I dyshuari kishte vjedhur edhe kuletën e një pushuesi nga Mitrovica

I dyshuari kishte vjedhur edhe kuletën e një pushuesi nga Mitrovica

Policia e Durrësit në Shqipëri ka arrestuar një 42-vjeçar, i cili dyshohet se vodhi para dhe sende me vlerë të udhëtarëve të autobusit të linjës Durrës-Plazh.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A.M., banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 200 euro që ua kishte vjedhur pasagjerëve të linjës.

“Shtetësi i mësipërm, më datë 24.08.2019, në mbrëmje, në lagjen Nr .17/1 Durrës, në Urbanin e linjës Durrës – Plazhi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit E.B., banues në Mitrovicë , portofolin ku kishte 200 €, karta banke, kartë identiteti.Më pas ka tentuar të largohet, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja e tij”, ka njoftuar policia.

Nga hetimet e kryera rezulton dhe është dokumentuar se shtetasi i arrestuar gjatë dy muajve të fundit ka realizuar disa vjedhje portofolash të udhëtarëve të ndryshëm të cilët udhëtonin me urbanin e linjës Durrës -Plazh dhe anasjelltas, konkretisht: Më datë 07.06.2019 dyshohet se në urban, në xhep i ka vjedhur portofolin shtetasit E.D., ku kishte vlera monetare dhe dokumenta. Më datë 03.08.2019 dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetases I.H., portofolin dhe telefonin celular. Më datë 15.08.2019, dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetasit A.D., portofolin ku kishte vlera monetare dhe dokumenta.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan edhe karta e bankës dhe karta e identitetit të shtetasit nga Mitrovica.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Vjedhja”.