19 prej emigrantëve ishin fëmijë

19 prej emigrantëve ishin fëmijë

Në orët e hershme të mëngjesit, respektivisht në orën 5 e 15, në fshatin Vaksincë, policia bashkë me Njësinë Speciale, pas bastisjes së kryer në një objekt i cili është pronësi të një banori 50-vjeçar, ka gjetur 81 emigrantë nga Lindja e Mesme.

“Gjatë bastisjes, me urdhër të gjykatës, në objektin i cili ishte në pronësi të tij, janë gjetur 81 persona -emigrantë, mes tyre edhe 19 të mitur. Personi në fjalë është arrestuar, kurse emigrantët janë dërguar në Qendrën Transitore në Tabanoc”, deklaroi Toni Angellovski nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB-ja thonë se do të vazhdojnë me veprimet hetuese, kurse kundër personit që ka kontrabanduar emigrantë do të ngritet padi penale. Personi, sipas njohurive të MPB-së, ka pasur për qëllim që përmes kalimeve të paligjshme, t’i çojë emigrantët në Serbi.

“Kryesisht kalojnë nëpër kufirin e gjelbër me Greqinë, rreth Gjevgjelisë dhe Valandovës, pastaj i marrin kontrabandues të tjerë dhe i çojnë në rajonin e Kumanovës, Likovë, prej ku sërish i marrin persona të tjerë të cilët kalojnë përmes kufirit serb dhe nëpërmjet Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Toni Angellovski nga MPB.

Angellovski thotë se MPB-ja është duke ndërmarrë masa serioze për parandalimin e kësaj dukurie, për çka, siç thekson, ka bashkëpunim të mirë mes policive të rajonit. Ndryshe, në një nga aksionet e fundit të MPB-së, janë kapur dy zyrtarë policorë të cilët kanë qenë pjesë e zinxhirit të kontrabandimit me emigrantë./TV 21