Refuzoi tu shërbente pacientëve

Refuzoi tu shërbente pacientëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Njësinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar opinionin se është arrestuar i pandehuri A.Sh, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Sipas prokurorisë i pandehuri A.Sh, në cilësinë e personit zyrtar, laborant në Laboratorin e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, e ka keqpërdorur detyrën zyrtare,  ashtu që gjatë orarit të rregullt të punës në spital nuk u ka shërbyer pacienteve të cilët kanë kërkuar shërbim në Laborator, sipas udhëzimeve të mjekëve por, të njëjtit i ka dërguar për analiza në laboratorin e tij privat që gjendet në Gjakovë.

Me këto veprime i pandehuri A.Sh, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Me vendim të Prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe pritet që në afatin ligjor të ushtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.