Merkel e Shulc dakordohen për “koalicionin e madh”

Merkel e Shulc dakordohen për “koalicionin e madh”

24 orë bisedime, por më në fund arrihet marrëveshja për një koalicion të madh të tretë në Gjermani. Kjo u konfirmua në një konferencë të përbashkët për gazetarë të kancelars gjermane Angela Merkel dhe liderit të social demokratëve Martin Shulc, përcjell rtv21.tv

Kancelarja Merkel do të mbajë postin e saj që në rast zgjedhjesh të reja nuk do të ishte i sigurt. Kristian demokratët e saj, bashkë me CSU-në dhe social demokratët e Martin Shulcit hartuan paktin me rreth 30 faqe për qeverinë e re Merkel të katër viteve të ardhshme.

Mediat gjermane raportuan se kompromisi kryesor i takon temave të taksave dhe emigrantëve.

Pavarësisht marrëveshjes mes liderëve, suksesi i Merkelit do të konfirmohet ose jo, javën e ardhshme pas kongresit të socialdemokratëve që duhet të miratojnë koalicionin dhe detyra e Martin Shulcit nuk është e lehtë.

Pas zgjedhjeve, Socialdemokratët shpallën se ishin në opozitë, por tashmë Shulc duhet t’i shpjegojë delegatëve kthesën 180 shkallë dhe pse kjo është e mirë për Gjermaninë. Sidoqoftë, për Merkelin pakti është fitore e madhe, sidomos pas performancës së keqe në zgjedhje dhe dështimit të viti të shkuar kur tentoi të krijojë koalicionin e parë në historinë gjermane me tri parti./21Media