Arritja e marrëveshjes qeverisëse, sot takohen Kurti-Mustafa

Arritja e marrëveshjes qeverisëse, sot takohen Kurti-Mustafa

Në tentim për të formuar qeverinë e ardhshme sot pasdite pritet të takohen liderët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe Isa Mustafa sot do të fillojnë diskutimet për gjitha çështjet e hapura, ndarjen e ministrive dhe emërimin e postit të presidentit pas rreth 2 viteve. Kështu ka bërë të ditur për kp, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili u shpreh optimist se brenda disa ditëve do të formatizohet marrëveshja qeverisëse.

Teksa thotë se ndarja e pushtetit do të bëhet në bazë të peshës politike.

“Ne kemi takim sot pasdite në formatin e liderëve dhe natyrisht do të nisim nga sot me përmbyllë kornizën e marrëveshjes politike e cila në vete ka harmonizimin e politikave sektoriale që i kemi bërë në kuadër të grupeve punuese që kemi bërë qe disa javë. Besoj shumë shpejt lidërt me mbështetjen e ekipit do të arrijnë të përmbyllin brenda disa ditëve këtë angazhim politikë”, thotë Haziri.

Haziri thotë se çështjet kryesore janë harmonizuar.

“Çështjet kryesore janë harmonizuar, kanë mbetur vetëm disa çështje të vogla me u harmonizu. Ajo që është e fundit që për ne nuk është e rastësishme ndarja e përgjegjësive brenda institucioneve do të diskutohen nga takimi i sotëm e tutje”, thotë ai

Përkundër deklaratave të mëhershme, Haziri thotë se ndarja e pushtetit do të bëhet në bazë të peshës politike.

“Natyrisht se po, ne deri tash kemi përballu dallimet tona. Besoj se edhe pjesën e përgjegjësive në ekzekutiv dhe institucione do të përballojmë pa asnjë problem. Gjitha çështjet e hapura do të diskutohen”, thotë Haziri.

Ndërsa, lideri i VV-së, Albin Kurti i pyetur për takimet me LDK-në pas certifikimit të rezultateve dhe ndarjen e pushtetit nuk dha përgjigje.