Arsimi, shëndetësia dhe policia sot në grevë

Greva po mbahet për të kundërshtuar vendimin e Kushtetueses për suspendimin e Ligjit për Paga

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, Federata e Sindikatës së Shëndetësisë dhe ajo Policisë së Kosovës, sot do të mbajnë grevë. Greva do të mbahet për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për suspendimin e Ligjit për Pagat.

Grevë dyorëshe në arsim është paralajmëruar të mbahet në çerdhe, në universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës, me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.

“Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30  deri në orën 8:30. Greva në Universitete   greva fillon në orën 8 deri në orën 10. Greva në shkollat e Kosovës  mbahet  në dy orët e para në të dy ndërrimet. Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”, është bërë e ditur në njoftim.

Ndërsa, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet grevë e përgjithshme të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, me moton “Presim pagat me Ligjin e ri”.

Greva do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 15:00, me kërkesën për implementimin e Ligjit për pagat që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, por që është dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Back to top button