Protestojnë para Qeverisë, kërkojnë 600-700€ në muaj

Protestojnë para Qeverisë, kërkojnë 600-700€ në muaj

Janë mbledhur para qeverisë për të kërkuar pagë më të mëdha. Profesor, arsimtarë e edukatore të çerdheve përmes kësaj proteste po kërkojnë që Qeveria t’ua rrisë rrogat, t’ua paguaj rrogën e 13-të dhe të respektohen marrëveshjet kolektive. Arsimtarët thonë se marrin diku 350 deri në 400 euro, që sipas tyre është pak dhe ankohen se nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet.

“Ne kërkojmë me na i rrit pagat. Jemi të diskriminuar për atë edhe kemi dal në rrugë që t’i kërkojmë të drejtat tona. Më së paku duhet t’i kemi 30 mijë denarë. Me këtë pagë që e kemi s’ka shanse të ja dalim”, tha Qemal Sejdiu, arsimtar.

“Qëllimi siç e dini është për rroga më të larta, për kushte më të mira, për punësim mendoj për vendime gjëra që janë diskutabile. Për një mësimdhënës minimal paga mesatare duhet të jetë 600-700 euro”, tha Ali Shefki Osmani, profesor.

Për pagë të ulët ankohen edhe Edukatoret e çerdheve, të cilat paguhen 200 deri në 300 euro.

“Ne të çerdheve jemi në margjinat e shtetit tonë dhe patjetër se duhet që të na rriten pagat. Për momentin unë e kam pagën 14 mijë denarë, ndërsa punoj 35 vjet në çerdhen për fëmijë dhe vlerësoj që me atë punë që e bëjmë sinqerisht janë të vogla pagat”, u shpreh Edukatorja.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se është e padiskutueshme që do të ketë një dialog mes Qeverisë dhe Sindikatave, por sipas tyre masat të cilat janë duke i marrë janë edhe mbi kërkesat e sindikatave.

“Të gjitha masat që i bëjmë në suaza të reformave do të japin benefit jo vetëm për nxënësit, por edhe për arsimtarët. Mendoj që çdo pjesëmarrës në dialog me qëllim të mirë- sindikata, plenume apo arsimtarë, do të ishin të kënaqur prej proceseve të cilat kanë filluar”, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kësaj proteste i paraprinë Konfederata e Sindikatave të Lira dhe Sindikata e Arsimit. Ata thonë se rritja rrogës duhet të fillojë menjëherë, pa diskriminim të veprimtarive të caktuara, dhe të nisin bisedimet për ndryshim dhe plotësim të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik, me qëllim të ngritjes së të drejtave të punëtorëve.

Por kësaj proteste nuk I është bashkangjitur plenumi i arsimtarëve të cilët kanë iniciativë për formimin e një sindikati. Ata përmes një komunikate kanë theksuar se kërkesat e Sindikatës së Arsimit janë legjitime por se udhëheqësia nuk ka legjitimitet që t’i përfaqëson arsimtarët pasi që deri tani e kanë luajtur me besimin e tyre, duke u shërbyer interesave të partive politike në pushtet e assesi interesave të arsimtarëve.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Jakim Nedelkov theksoi se pohimet e tilla nuk janë të vërteta dhe se janë spekulime.

“Plenumi i arsimtarëve ka problem me Sindikatën e Arsimit, praktikisht plenumi I arsimtarëve ashtu siç ka ardhur ashtu edhe do të ikë nga opinioni.03:39 Ata dolën me disa deklarata paushallë, spekulime, dezinformata dua të them se ka këtu edhe disa elemente që shërbimet tona zyrtare do të vlerësojnë se a ka motive për vepra penale. Ata janë akuza të rënda për udhëheqësin e sindikatit, siç janë marrje para nga garniture qeveritare në të kaluarën”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit.

Dje Konfederata e Sindikatave të Lira dhe Sindikata e Arsimit kishin takim me ministrat, Mançevskin, Deskoskën, Shekerinskën dhe Carovskën nga të cilët kanë marr premtim se do të shqyrtohen kërkesat e tyre.