Rex Tillerson u shkarkua nga funksioni i sekretarit të Shtetit

Rex Tillerson u shkarkua nga funksioni i sekretarit të Shtetit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar nga funksioni sekretarin e shtetit, Rex W. Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Trump kumtoi në Twitter këtë lajm të papritur, në të cilin qartësoi se ka emëruar Gina Haspelin në krye të CIA-së si pasaardhëse të Pompeot.

“Mike Pompeo, shefi i CIA-s, do të jetë sekretari ynë i ri i shtetit. Ai do ta kryej për mrekulli punën e tij. Falënderoj Rex Tillersonin për shërbimin e tij. Gina Haspel do të jetë drejtore e re e CIA-s dhe do të jetë femra e parë në këtë funksion. Uroj të gjithë”, shkroi Trump.

Siç shkroi gazeta Washington Post, bëhet fjalë për ndryshime të mëdha në administratën amerikane, ndryshime këto të orkestruara para takimit të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump ka njoftuar Tillersonin qysh të premtën se është i shkarkuar dhe kjo ishte arsyeja se pse ai ndërpreu turneun e tij nëpër Afrikë, për tu kthyer në Uashington.

Në komunikatën e publikuar nga Washington Post, Trump lavdëroi Pompeon dhe Haspelin, shkruan rtv21.tv

“Me krenari emëroi drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, për sekretarë tonë të ri të shtetit. Mike ka diplomuar si i pari në klasë në Uest Point, ka shërbyer në ushtrinë amerikane dhe ka diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Harvard. Ka shërbyer në Dhomën e përfaqësuesve. Gina Haspel do të jetë femra e parë në krye të CIA-s, e që është me rëndësi historike. MIKE dhe Gina kanë punuar së bashku për më shumë se një vit dhe respektohen mes vete”, tha Trump.

Tillerson funksionin e sekretarit të shtetit e ushtroi gati një vit, ndërsa më herët ka qenë në krye të kompanisë Exxon Mobile.

Gjatë kohës së shërbimit të Tillersonit, nga Shtëpia e Bardhë dhe Stejt Departmenti janë përcjelli porosi pothuajse të ndryshme.

Mediat disa herë kanë spekuluar se Trumo nuk është i kënaqur me Tillersonin dhe se në vendin e tij dëshiron ta sheh Pompeon.

Trump dhe Tillerson kanë pasur mosmarrëveshje të shumta për çështjet e politikës së jashtme, në veçanti për çështjet që kishin të bëjnë me Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Përderisa Trump kërcënonte Korenë e Veriut, Tillerson kërkonte biseda me Penianin.

Së fundi, Tillerson u angazhua edhe për hetimin e lidhjeve të pretenduara të bashkëpunëtorëve të Trumpit me Rusinë, gjë që u kritikua ashpër nga presidenti amerikan.

Madje në një rast, Tillerson e ka quajtur Trumpin “moron”. Në anën tjetër, Trump dhe Pompeo kanë pothuajse qëndrime të ngjashme për shumë çështje./21Media