A do të arrijë pushteti i ri t'i zbatojë ato?

A do të arrijë pushteti i ri t’i zbatojë ato?

Kultura artistike në Maqedoni përballet me probleme të shumta. Këtë nuk e thonë vetëm personat që janë pjesë aktive e botës së artit, por edhe anëtarë të ekzekutivit. Besiana Mehmedi dhe Avni Qaili mendojnë se thelbi i zgjidhjes së problemit me kulturën shqiptare është institucionalizimi i saj. Në shumë qendra kulturore, nuk ka asnjë shqiptar të punësuar.

“Në një pjesë të pallateve të Kulturës ne nuk kemi asnjë të punësuar shqiptar, rasti konkret në Kërçovë”, u shpreh Besiana Mehmedi, Soliste, shkruan TV21.TV

“Si mund të bëj një festival që e kam bërë një million herë me ura, aman Besiana më ndihmo, aman drejtor ma lësho sallën”, tha Avni Qaili, Kompozitor.

Drejtori i Teatrit Shqiptar, Adem Karaga theksoi se duhet të rreshtin së trajtuari artistët si lypsarë, por se ata duhet ta marrin atë që përnjëmend meritojnë. Ndërsa sipas Visar Vishkës, problemi kryesor i kulturës është politizimi i saj.

“Artisti në thelb është artist dhe nuk duhet të ketë mëshirë për të, ne nuk guxojmë të trajtojmë artistët sikur janë për mëshirë dhe t’i japim një gjë për t’u kënaqur”, tha Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Shqiptar.

“Nuk mundet një artist që bën 20 role të paguhet njësoj si ai që bredhet gjithë ditën përreth teatrit”, tha Visar Vishka, Aktor.

Nga ana tjetër, Këshilltari në Ministrinë e Kulturës Petrit Saraçini premtoi se do të ndërmerren hapa konkret në përmirësimin e kulturës sidomos asaj shqiptare.

“Maqedonia nuk është vetëm shtet multi-etnik por është edhe shtet multi-kulturor, do të ndërmerren hapa të rëndësishme që kjo edhe të demostrohet në praktikë”, u shpreh Petrit Saraçini, Këshilltar i Ministrit Allagjozovski.

Të ftuarit ranë dakord se pushteti paraprak promovonte kulturë monoetnike dhe etnocentriste, por se me ndryshimin e tij, pritet të ndryshohet edhe klima e përgjithshme kulturore në Maqedoni./21Media