Asgjësohet në kufi mishi i firmës belge

Tërshnjaku: I kemi asgjësuar produktet që janë gjetur në kufi

Mishi i importuar nga firma “Veviba” nga Belgjika, është diskuar sot në tryezën e organizuar për Ditën ndërkombëtare të konsumatorit, organizuar nga Këshilli për mbrojtjen e konsumatorit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ibrahim Tershnjaku, ka thënë se AVUK-u ka treguar një performancë profesionale në gjetjen e skandalit  ku kanë informuar edhe autoritetet e Bashkimit Evropian lidhur me skandalin e mishit nga kompania belge “Veviba”.

“Për fat të mirë konsolidimi i këtij institucioni duke respektuar të gjitha procedurat standarde operative kemi arritur që në pikën kufitare ta ndalojmë një produkt që ka qenë me të gjitha ato parametra që nuk është lejuar të futet në Kosovë. I kemi marrë të gjitha procedurat sipas ligjit, i kemi asgjësuar produktet që janë gjetur në kufi, kemi informuar autoritetet e BE-së për vazhdimin e gjurshmërisë së atyre  problemeve, të cilat ndodhin në prodhimtarit e ndryshme botërore dhe jemi zotuar se autoriteti ynë  do të ngritë edhe me shumë qoftë edhe procedura standarde duke respektuar në përpikëri të gjitha ato që futen në Kosovë”, tha ai.

Tërshnjaku po ashtu tha se masa kanë marrë për të gjithë kompanitë importuese.

“Të gjitha ato fabrika, të cilat kanë leje, nuk kemi të drejtë ligjore të mos i lejojmë. Ne i kemi kryer të gjitha kontrollet, pa marrë parasysh edhe për fabrikat e tjera, të cilat i kemi ndaluar, qoftë edhe nga Argjentina dhe Brazili, të cilat kanë ndodhur që të kenë  skandale të tilla dhe për ato fabrika, të cilat nuk kanë numër importues. Ne as që japim leje për import, jo që t’i kontrollojmë ato, por as që i japim të drejtë  që ato të marrin një rrugë për Kosovë”, tha Tërshnjaku.

Ndryshe, skandali i mishit të prishur në Belgjikë i zbuluar nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) javën e kaluar, ka prekur edhe Kosovën. Agjencia zbuloi se mishtorja belge “Veviba” kishte shitur sasi të mëdha të mishit të prishur në Kosovë dhe disa vende tjera të Evropës Juglindore.

Back to top button