ASK: Për tre muaj vetëm 17 mijë pasagjerë

Krahasuar me tremujorin e kaluar, numri i udhëtarëve ishte zvogëluar për 65%

Agjencia e Statistikave të Kosovës- ASK ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për periudhën e tremujorit të parë të këtij viti, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.

Sipas ASK-së, në territorin e Kosovës, ka gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë disel dhe dy trena motorikë. Lokomotivat bartin dhjetë vagonë për udhëtarë dhe 1 420 vagonë për mallra.

“Në tremujorin e parë të vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 17 mijë, ku krahasuar me tremujorin e kaluar, numri i udhëtarëve ishte zvogëluar për 65%. Transporti i mallrave me tren në TM1 2018 ishte 76 mijë tonë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 36%.

Kurse, sa i përket numrit të fluturimeve, në tremujorin e parë të këtij viti, ishin 1 560 fluturime, ose 13.70% më shumë sesa në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Numri i udhëtarëve, që e kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori ishte rreth 418 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje prej 16.92%.

Back to top button