Asnjë femër shqiptare në poste ministrore në Maqedoni

BDI dhe Aleanca arsyetohen, OJQ të zhgënjyera

Asnjë femër nuk është propozuar për ministre nga partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptare. E ky vendim për shoqatat për të drejtat e grave është zhgënjyes, thekson Savka Todorovska aktiviste për të drejtat e grave.

“Për neve është një zhgënjim total, pasi që në gjithë këto vitet e fundit ka gra me kapacitete të larta të cilat kanë mundur t’ia dalin me këto funksione”, u shpreh Savka Todorovska, Aktiviste, shkruan TV21.TV

Ajo shton se LSDM ka respektuar ligjin dhe gratë janë të përfaqësuar 30%, ndërsa partitë shqiptare kanë diskriminuar femrat. Nga LSDM janë propozuar katër femra për ministre: Radmilla Sheqerinska në mbrojtje, Mila Carovska për Punë dhe Politika Sociale, Renata Deskovska për ministre të Arsimit dhe Zorica Apostollovska ministre pa resor.

Flakron Bexheti nga LR-PDSH thotë se nuk kanë pas luks që të zgjedhin person në bazë të gjinisë, pasi që kishin vetëm një post ministror.

“LR PDSH, ka respektuar dhe do të respektojë përfaqësimin gjinorë, megjithatë, ne kemi një post ministror, dhe nuk e kishim luksin për të zgjedhur aspektin gjinor, dhe vendosëm unanimisht për numrin 2 të partisë Sekretarin gjeneral të LR PDSH z. Arben Taravarin, duke vlerësuar së më mire mund të na përfaqësojë në udhëheqjen e këtij resori të rëndësishëm”, tha Flakron Bexheti, LR-PDSH.

Bujar Osmani thotë se BDI çdoherë ka inkuadruar femrën shqiptare në poste të larta politike. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet lokale të inkuadrohem më shumë femra.

“Janë konstalacionet e tilla politike që ndoshta në një mandat ose në ndonjë përbërje ministrore nuk ka femër, por kjo nuk do të thotë që në mandatet e tjera ose në përbërjet në nivelet tjera të pushtetit nuk do të involvohen femrat”, tha Bujar Osmani, BDI.

Përfaqësimi i femrës ka qenë jo aq i dëshirueshëm edhe në mandatin e kaluar qeveritar, ku kishte vetëm tre ministre./21Media

Back to top button