“Asnjë fermer s’do të ndëshkohet për vonesa në implementim të projekteve të granteve”

Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të fermerëve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka nxjerrë sot vendim për shtyrjen e përkohshme të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019.

Siç ka njoftua ministria janë marrë gjashtë pika të vendimit.

Shtyhen përkohësisht afatet procedurale për zbatimin e Projekteve të Zhvillimit Rural të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – Nr.16/2019 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2019, të datës 21.05.2019.

“Shtyrja e përkohshme e këtyre afateve nga paragrafi 1 i këtij vendimi bëhet me qëllim të mbrojtjes të të drejtave të fermerëve, pas marrjes së masave për parandalim të infeksionit Corona Virus COVID-19 nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Shtyrja nga pika 1 dhe 2 të këtij vendimi vlen nga dita e nxjerrjes së Vendimit nr.01/07, datë 11.03.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Obligohen të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Zyrtarët nga pika 4 e këtij vendimi, të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim do të ndëshkohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.”, ka bërë të ditur ministria përmes komunikatës.

Në Kosovë numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 13-të. Deri tani tri qytete të vendit janë në karantinë, Klina, Vitia dhe Malisheva, ndërsa mbrëmë edhe një qytetar nga Podujeva është prekur nga koronavirusi. Qeveria e Kosovës mbrëmë ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik./21Media

Back to top button