Angazhohet edhe FSK-ja në operacionin e kërkimit

Angazhohet edhe FSK-ja në operacionin e kërkimit

Edhe sot po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e personit që dyshohet të jetë fundosur dje në Liqenin e Batllavës.

FSK-ja është angazhuar në operacionin e kërkimit për personin e zhdukur.

“Me vendim të Ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pjesëtarët e Kompanisë së Kërkim- Shpëtimit në Ujëra të Forcës së Sigurisë të Kosovës ( FSK ), që nga 25 gusht, në orët e pasdites, janë duke marrë pjesë në operacionin për kërkimin e një personi të zhdukur në Liqenin e Batllavës”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas njoftimit specialistët e FSK-së, mbrëmë nga ora 20:00 kanë vazhduar me vlerësimin e situatës dhe kërkimin e personit të zhdukur, deri në orët e vona të natës, edhe sot që nga orët e hershme të mëngjesit janë duke vazhduar operacionin e kërkimit.

E kontaktuar nga rtv21.tv, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se dje rreth orës 16:00 policia është njoftuar për rastin. Sipas Ahmetit policia po punon që të zbulojë të gjitha detajet./21Media