Pas 17 vjetësh, zhvillohet ky derbi në stadiumin "Fadil Vokrri"

Pas 17 vjetësh, zhvillohet ky derbi në stadiumin “Fadil Vokrri”

Derbi më i madh në Kosovë, Gjilani – Drita, për herë të parë pas 17 vjetësh do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Duke qenë se numri i shikuesve pritet të jetë shumë i madh, zyrtarët e Gjilanit janë duke bërë përgatitjet që siguria të jetë në nivelin më të lartë.

Sevdaim Robelli, zyrtar i lartë i klubit ka deklaruar për Indeksonline që nuk do të lejojnë të futet brenda asnjë mjet piroteknik.

“Ne do të kujdesemi që të mos dëmtojmë stadiumin Fadil Vokrri. Niveli i sigurisë do të jetë si për ndeshjet e Kosovës. Si për Skifterat ashtu edhe për Intelektualët nuk do të lejohet asnjë mjet piroteknik. Sa i përket çmimit të biletave ende nuk kemi vendosur por sigurisht që do të ketë çmime të ndryshme, varësisht nga tribuna”, ka deklaruar Robelli.

Hera e fundit kur Gjilani dhe Drita ishin ballafaquar në stadiumin “Fadil Vokrri”, kishte qenë viti 2001 në finale të Kupës. Drita kishte triumfuar pas ekzekutimit të penalltive.