“Ata që dje kanë braktisur vendin, sot mund t’i shërbejnë më së miri”

Haradianj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Emigrantëve ka kujtuar sakrificën për liri të heronjve të Kosovës, si dhe ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike.

Haradinaj ka thënë se në memorien e shumë brezave të qytetarëve rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike.

“Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithsecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësyrë rrugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse. Sot, i kujtojmë të gjithë ata njerëz, kudo nëpër botë, që na kanë dalë në ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre, dhe një punë në tokën e tyre. Po sot, i kujtojmë edhe sakrificën për liri të heronjve dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet”, ka shkruar Haradinaj.

Haradianj u shpreh mirënjohës ndaj vendeve mike për ndihmën e pakursyer, që strehuan në të gjitha kohërat njerëzit tanë.

“Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë! Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve”, ka shkruar tutje i pari i Qeverisë./21Media

Back to top button