"Draga tërë jetën ia kushtoi luftës që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm"

“Draga tërë jetën ia kushtoi luftës që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm”

Shumë ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike fillimin dhe përfundimin e tyre e kanë pasur pikërisht në Mitrovicë dhe rrethinat e saj, ku protagonistë kanë pasur atdhetarë të shquar, dhe kundërshtarë të përjetshëm të pushtuesve të huaj, siç ishte Ferat Draga.

Kështu u tha sot në konferencën e organizuar nga Shoqata “Kosova për Sanxhakun” dhe Komuna e Mitrovicës me temën ‘Ferat Draga, rrethanat historike dhe lufta për çlirimin kombëtar’, për nder të 137-vjetorit të lindjes dhe 73-vjetorit të rënies heroike të Ferat Dragës.

Në këtë konferencë, e cila u mbajt në Mitrovicë, morën pjesë personalitete politike e historianë nga Prishtina, Shkupi, Tirana, Novi Pazari e Rozhaja.

Profesori Ismet Azizi tha se heronjtë shqiptarë dhanë gjithçka, madje edhe jetën e tyre, për atdheun, kombin, lirinë, ardhmërinë dhe demokracinë. Sipas tij, ata janë shembull i sakrificës dhe udhërrëfyes drejt integrimit në botën e qytetëruar.

Deputeti në Parlamentin e Serbisë nga Sanxhaku, Sylejman Uglanin, i cili fjalimin e tij e filloi në gjuhën shqipe, tha se po e bën këtë në respekt të gjuhës së tij amtare shqipe.

Ai u shpreh i lumtur që ndodhet sot këtu, duke falënderuar organizatorët për një konferencë të tillë, siç u shpreh ai, për liderin më të madh të të gjitha kohërave të Sanxhakut.

Ndërsa Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, ka potencuar se Ferat Draga tërë jetën ia kushtoi luftës që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm.

Azem Vllasi tha se konferenca të tilla në mes të shqiptarëve nga Kosova dhe vëllezërve nga Sanxhaku duhet të jenë më të shpeshta.

Në anën tjetër, profofesori Hakif Bajrami, ka bërë të ditur se ka mësuar shumë nga porositë e Ferat e Nexhip Dragës. Sipas tij, Draga kishte parashikuar se një ditë shqiptarët do ta kenë pushtetin e tyre.

Në këtë konferencë folën edhe pjesëmarrës tjerë, të cilët potencuan se Ferat Draga ka lënë gjurmë të thella në jetën dhe veprimtarinë e tij, me dobi të madhe kombëtare e njerëzore.