Atentat 36-vjeçarit që sapo kishte dalë nga burgu, u plagos edhe kunati

Personat ishin brenda në lokali kur u qëlluan

Dy persona u plagosën sonte me breshëri automatiku në një atentat në Vlorë.  Sipas informacioneve, të plagosurit janë Roland Çepaj dhe kunati i tij, Nikollaq Çepaj (Taullaraj), ky i fundit pak ditë më parë kishte dalë nga burgu, pasi ishte arrestuar për plagosje në qershor të 2019.

Personat ishin brenda një lokali, pranë rrugës Transballkanike, ndërsa mësohet se u qëlluan nga një automjet.

Raportohet se atentatori ose atentatorët erdhën nga rruga Transballkanike me një automjet, u ndalën përpara lokalit, qëndruan për pak minuta dhe me pas gjuajtën me breshëri në drejtim të dy personave.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme (18 janar) në lagjen “Bashkimi” të Vlorës rreth orës 18:20.

Shënjestra-Nikollaq Çepaj (Taullaraj)-36-vjecari Nikollaq Çepaj (Taullaraj) ishte e martuar me motrën e Roland Çepajt. Ai dyshohet se ishte edhe shënjestra e atentatit, ndërsa aksidentalisht u plagos edhe kunati. Taullaraj sapo kishte dalë nga burgu, pasi në qershor të vitit 2018 ishte arrestuar për plagosjen me armë zjarri të Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen ‘Pavarësia’.

Prishja e pazareve të drogës ose hakmarrje janë dy pistat ku po hetohet.

Autori, dyshohet një person me mjeker- Nga dëshmitë e personave thuhet se autori që qëlloi ishte një person me mjekër dhe me kapele të kuqe.

“Rreth orës 18:22, në lagjen “Bashkimi” Vlorë, në një lokal dyshohet se pas një konflikti të çastit kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit N.Ç 36 vjeç dhe R.Ç., 27 vjeç me banim në Vlorë, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore”, sqaroi policia në njoftimin zyrtar.

Nikollaq Çepaj (Taullaraj) u transportua për në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje më të rëndë. Po sipas policisë, autorët dyshohet se mund të jenë larguar me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë disa grupe policore.

Në zonën ku ndodhi ngjarja është evidentuar një automjet “benz” i zi, i cili dyshohet se i përket autorëve. Njëkohësisht u ngritën disa pika kontrolli në rrugët dalëse të qytetit dhe po kontrollohet e gjithë zona me qëllim kapjen dhe  arrestimin e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes./oranews

Back to top button