ATK shënoi 19 vjetorin e themelimit

Haradinaj në 19-vjetorin e ATK-së falënderoi tatimpaguesit e vendit

“Sot në përvjetorin e 19-të të ATK-së falënderova tatimpaguesit e vendit, ata që për gjithë këto vite kanë mbushur arkën e shtetin. Duhet ta keni parasysh dobinë e madhe që keni, në sigurimin e buxhetit, kryerjen e detyrave tuaja dhe orientimin tonë euro-atlantik”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e 19-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha se në të njëjtën kohë që Kosova është orientuar nga integrimet euro-atlantike, Serbia po bënë marrëveshje ekonomike me Rusinë.

“Në Bashkimin Evropian vlerësohet puna jonë, është vlerësuar së fundi pakoja ligjore, e cila avancon vendosjen dhe forcimin e ligjit në vend dhe po ashtu është vlerësuar nga Berlini dhe për këtë falënderojmë pozicionin e tyre, që është inkurajues e drejta jonë me lëvizë lirshëm në tregun tonë, atë evropian”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se në këto vlerësime, Kosova po konsiderohet si partner dhe se respekti që jepet për ne, të shton edhe përgjegjësitë dhe këto vijnë me kohë.

“Nëse ne në dekadën e tretë jemi optimistë se do t’i takojmë familjes evropiane, atëherë duhet ta kemi një trend në rritje të luftimit të informalitetit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se sa më shumë që Kosova i afrohet BE-së, duhet të shtohet edhe përkushtimi ynë për të luftuar ekonominë joformale.

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, pasi përgëzoi Administratën Tatimore për arritjet, tha se falë kësaj pune, sot, Kosova është shembull sa i përket stabilitetit makrofiskal dhe kjo është e mundur si rezultat i punës dhe angazhimit shumë të madh të punonjësve të ATK-së.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, tha se Administrata Tatimore e Kosovës është konsoliduar në nivel të një institucioni kompetent, me integritet të lartë profesional dhe modern, në linjë me zhvillimet e përgjithshme ekonomike, teknologjike dhe administrative dhe e krahasuar me administratat tatimore moderne ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë përvjetor, ishin edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe personalitete të tjera të fushës së biznesit./21Media

Back to top button