ATK shënon 20 vjetorin e themelimit

Thaçi merr pjesë në shënimin e njëzet vjetorit të themelimit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) sot shënon 20 vjetorin e themelimit me një ceremoni të veçantë ku do të marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ceremonia do të mbahet nga ora 10:00 në Prishtinë.

ATK është themeluar më 17 janar të vitit 2000 nën drejtimin dhe administrimin e UNMIK-ut. Drejtor i parë i ATK-së ishte ndërkombëtar i punësuar nga një kontraktues i USAID-it. Nga tetori i vitit 2001 deri në shkurt të vitit 2003, kishte bashkëdrejtorë nga USAID-i dhe vendor që ndanin rolin e drejtorit.

Me 18 shkurt 2003, autoriteti për Administratën Tatimore u bart nga UNMIK-u te Ministria për Ekonomi dhe Financa dhe mori detyrat e Drejtorit të ATK-së një vendor.

Që nga ajo kohë, ATK ka funksionuar si një organizatë autonome, e menaxhuar krejtësisht nga banorë të Kosovës me këshillime dhe ndihmën e organizatave donatore ndërkombëtare në radhë të parë, USAID-i, BE dhe FMN.

Gjatë historikut të shkurtër të saj, ATK ka zhvilluar një strukturë organizative funksionale e cila në pjesën më të madhe të saj është në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Legjislacioni tatimor i Kosovës është pranuar si nga FMN-ja ashtu edhe nga Komisioni Evropian si legjislacion transparent dhe ne harmoni me standardet ndërkombëtare.

Me gjithë zhvillimin e vet dhe asistencën e dhënë, ATK ende duhet shumë për të bërë që të jete Administratë Tatimore moderne, eficiente dhe një organizatë prijëse shtetërore në Kosovë.

Administrata Tatimore e Kosovës është agjension ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Financave./21Media

Back to top button