ATK tregon për vonesat e rimbursimit të kuponëve fiskal

”Për periudhën e TM4 2016, numri i qytetarëve të cilëve u janë përcjell plikot për rimbursim është 299,632 ndërsa shuma e rimbursuar deri me tani është 5,678,545 euro”

Tashmë e një vit, qytetarë të shumtë nga mbarë vendi nga blerjet e tyre, po mbledhin kupona fiskal me qëllim që të fitojnë para.  Për çdo tremujor, një numër i madh i qytetarëve aplikojnë për rimbursim të parave nga 10, 15 dhe 20 euro në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), por për këtë të fundit qytetarët shpeshherë po ankohen.

Lidhur me këtë, rtv21.tv ka zhvilluar një intervistë me zyrtarë të ATK-së për të shqyrtuar këtë problem për të cilin po ankohen qytetarët. Nga ATK janë shprehur se me kohë kanë njoftuar qytetarët, të cilët kanë dorëzuar plikot e tyre për rimbursim se verifikim ende nuk ka përfunduar.

”Administrata Tatimore e Kosovës për hir të korrektësisë, ka njoftuar me kohë të gjithë qytetarët të cilët kanë dorëzuar plikot e tyre për rimbursim nga kuponët fiskal për TM4 2016, se  verifikimi i plikove ende nuk ka përfunduar, pasi që interesimi i qytetarëve për të qenë pjesë e kampanjës edhe në këtë periudhë ka qenë tejet i madh. Sipas të dhënave nga departamenti i Arkave Fiskale, është edhe një numër i konsiderueshëm i plikove  të cilat janë në proces të verifikimit”, bën të ditur ATK, shkruan rtv21.tv

Zyrtarë të Administratës tatimore të Kosovës njoftojnë se numri i aplikuesve, por edhe shuma e ribursuar për një peridhë tre mujore është tejet e madhe. ”Për periudhën e TM4 2016, numri i qytetarëve të cilëve u janë përcjell plikot për rimbursim është 299,632 ndërsa shuma e rimbursuar deri me tani është 5,678,545 euro. Ndërsa, vetëm për TM1 2017 deri me tani janë pranuar 215, 146 pliko dhe janë verifikuar 20, 977”, njoftojnë nga ATK duke shtuar zyrtarët nga departamenti përkatës, janë duke punuar në vazhdimësi në mënyrë që të gjitha plikot e kësaj periudhe të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur.

Të pyetur se a ka mundësi që ATK të përmbushë kërkesat e aplikuesve edhe nëse këto kërkesa vazhdojnë të rriten?, nga ATK njoftuan se kanë zhvilluar një modul pëmes së cilit qytetarët do të mund të marrin përgjigjiet për plikot e tyre.

”Me qëllim që t’i mbajmë të informuar të gjithë qytetarët për gjendjen e plikos, nga muaji shkurt i këtij viti ATK ka zhvilluar një modul, përmes së cilit qytetarët mund të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër, për gjendjen e plikos së tyre përmes sistemit në linkun: https://kuponatfiskal.atk-ks.org/AplikimiStatusi për të gjitha pyetjet, duke filluar nga aplikimi, pranimi, verifikimi, rimbursimi dhe refuzimi (kthimet nga bankat gjatë vitit 2016) i plikove me kuponë fiskal.  I vetmi burim i sigurt i informacionit për gjendjen e plikos, është shfrytëzimi i këtij modul për përgjigje elektronike https://kuponatfiskal.atk-ks.org/AplikimiStatusi”, bën të ditur ATK.

Ndryshe, nga viti 2016, Administrata Tatimore e Kosovës, ka filluar me rimbursimin e mjeteve për qytetarët, të cilët grumbullojnë kuponë fiskal./21Media

Back to top button