Moser vlerësoi nismat e Shqipërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit

Moser vlerësoi nismat e Shqipërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj është takuar me homologun e saj austriak Josef Moser, në Alpbach të Austrisë.

Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis dy vendeve, ecuria e reformës në drejtësi, bashkëpunimi në forcimin e luftës kundër korrupsionit si dhe organizimi për herë të parë në Shqipëri i Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme në tetor 2018, raporton ATSH.

Ministri Moser vlerësoi nismat e Shqipërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Ai u shpreh që Austria do të jetë gjithmonë një partnere në krah të Shqipërisë për mbështetjen në zbatimin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.

Si tregues i mbështetjes dhe vlerësimit që Austria i ka dhënë Shqipërisë u theksua përzgjedhja nga Austria të Shqipërisë si vendin për organizimin e Forumit Ministerial BE – Ballkani Perëndimor për Çështjet e drejtësisë dhe sigurisë që do të organizohet në Tiranë në tetor 2018.

Moser shprehu mirënjohjen që për herë të parë ky event do të organizohet në Shqipëri duke promovuar vlerat dhe arritjet e mëdha që ka bërë deri tani Shqipëria si një vend kandidat për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Nga ana e saj ministrja Gjonaj e njohu homologun austriak me rezultatet e para që reforma në Drejtësi ka dhënë deri më tani duke njohur dhe të gjithë kontributin që kanë dhënë ekspertët austriakë në këtë proces si dhe mbështetjen politike të Komisionit Evropian.