Kombëtarja e Shqipërisë sonte mposhti Moldavinë

Kombëtarja e Shqipërisë sonte mposhti Moldavinë

Shqipëria bëri autokritikë ndaj Moldavisë, por nuk mjafton për të ruajtur gjallë shpresat për një vend në finalet e Europianit që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Kuqezinjtë shkatërruan me shifrat 4-0 Moldavinë në transfertë, megjithatë, barazimi mes Francës dhe Turqisë i eliminon edhe matematikisht që në raundin kualifikues nga ëndrra Euro 2020.

Golat e Cikalleshit, Bares, Trashit e Manaj ngjallën shpresat e kuqezinjve, por goli i Olivier Giroud në takimin e “Stade de France” mes Francës dhe Turqisë  i dha goditjen knock-out. As goli i Ayhan nuk i hyri në punë Shqipërisë, me “gjelat” dhe turqit që mbajnë vendin e parë dhe të dytë me 19 pikë.

Të tronditur nga humbja në limitet e kohës së rregullt ndaj Turqisë, kuqezinjtë e Edi Rejës u futën me një tjetër marsh në “Stadionul Zimbru”. Sulmuesi kavajas, Sokol Cikalleshi zhbllokoi shifrat, me 29 vjeçari që në minutën e 22-të lëvizi bukur në zonë për të dërguar në festë Shqipërinë.

Gol që goditi psikologjikisht Moldavinë, e cila u detyrua të nxjerrë sërish sferën nga fundi i rrjetës. Keidi Bare tundi rrjetën, ndërsa një gol i Lorenc Trashit në minutën e 40 vulosi fatet e takimit.  Goli i Rey Manaj në minutën e 90-të qe një përgjigjje ndaj kritikave që e pasuan pas asaj humbje me Turqinë.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria mban vendin e katërt me 12 pikë, tre më pak se Islanda dhe 9 më shumë se Andorra dhe Moldavia./Oranews