Abedin Bytyqi në tetor të vitit 2016 është vrarë dhe më pastaj trupi i tij është djegur

Abedin Bytyqi në tetor të vitit 2016 është vrarë dhe më pastaj trupi i tij është djegur

Për vrasjen e Abedinit, Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur fajtor gruan e tij, Resmije Bytyqin, Murat Ademin dhe Fadil Fetiun.

Resmija, bashkëshortja e Abedinit është dënuar me 20 vjet burg, Murat Ademi si dorasi me 25 vite burg, ndërsa Fadil Fetiu është dënuar me 12 vite burgim, kurse është lënë i lirë Reshat Ademi.

Me këtë vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk po pajtohet babai i viktimës Avdi Bytyqi, i cili po kërkon që të gjithë personat e lartpërmendur të dënohen me burgim të përjetshëm.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, vrasja e Abedin Bytyqi është shtyrë nga bashkëshortja e tij, Resmija. Në aktgjykim thuhet se viktima është goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhembjeve të mëdha fizike dhe psikike, viktimës i është vënë zjarri duke i shkaktuar dhimbje vdekjeprurëse të cilat shkaktojnë vdekjen e tij, e më pas viktima është hedhur në një gropë dhe është mbuluar me dhe.

Babai i Abedinit, Avdi Bytyqi thotë për KP, se nuk është aspak i kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, pasi sipas tij, është dashur që të gjithë të dënohen me burgim të përjetshëm, për çka edhe do të ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi.

“Krejt janë bashkëpunues, krejt e kanë një faj, krejt këta duhet me marrë burg të përjetshëm, se jo me 20 vjet e me 25 vjet, se ai 25 vjet kryesori, kjo 20 vjet, ky 12 vjet, atë me e lëshuar krejt që bashkëpunues u kanë. Unë nuk di, çuditna me këtë shtet, unë kam pasur besim në shtet dhe sefte në seancën e parë kur kam shkuar iu kam thënë dua drejtësi, ju jeni shtet, ju i dini punët më mirë se unë, unë veç drejtësi dua…Na si prindër të gjithë barabartë, se të gjithë janë qasi, kriminelë, se me kanë që është një, se i njoh të gjithë mos me i njoftë nuk them kurrgjë veç e dëgjoj shteti çka thotë…Vendim ne kërkojmë përjetë me i dënuar, përjetë me i dënuar edhe fund, se qasi janë. Nesër ik prej burgut del apët bëjnë qesi se këta janë të mësuar me këto punë. E më mirë le të kryhet me qetë djalin tim e mos të bëjnë më zullum mbas kësaj ngjarje”, thotë ai.

Avdiu thotë se reja e tij që e ka shtyrë vrasjen e djalit është dashur të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai thotë se Resmija është kryesorja që ka shtyrë djemtë e axhës së saj që të vrasin dhe djegin djalin e saj.

“Me 20 vjet Resmijen e kanë dënuar, që kjo kryesorja, është që i ka shti kjo. Kjo i ka shti, unë ju paguaj veç hiqeni, kur i ka gjet djali në punë të këqija se nuk ka pasur kurrgjë ky me gruan kurrë. Vetë e ka dhënë deklaratën që kurrë unë me burrë nuk kam pasur problem dhe nuk ka pasur, as ne nuk e kemi hetuar që ka pasur diçka. Po u marrë me qeto të këqijat me ta edhe kur e ka hetuar djali hajde ta hupim”, shprehet ai.

Babi i Abedinit nuk po pajtohet as me atë që Murat Ademi, që akuzohet si dorasi është dënuar me 25 vite burgim. Avdi Bytyqi thotë se për vrasjen që e ka bërë më e pakta është dashur të dënohet me mbi 35 vite burgim.

“Jo hiç valla, Muratin edhe mos me e dënuar të përjetshëm ,është dashur 35 vjet e përpjetë me e dënuar. Këta vëllain e tij është dashur me e dënuar me 30 vjet, edhe këta tjetrin me Muratin me e dënuar ka 35 vjet e përpjetë ose përjetë, më mirë përjetë edhe hiqet gajlja, edhe neve na qetësohet shpirti sa të jemi gjallë. Unë deri të vdes kam me nga për këtë rast”, thotë ai.

Bytyqi po kundërshton edhe vendimin që Fadil Fetiu është dënuar me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi është lënë i lirë.

“Ne asnjë fije nuk jemi të kënaqur me atë vendim, asnjë fije. Kryesorin, të parin që e ka quar në kurth e kanë lënë me 12 vjet Fadil Fetiun, me 12 vjet burg ai i pari kriminel që ma ka marrë djalin, e ka mashtruar, ka quar në shtëpi të vet, hajde se ki me më rregulluar diçka rrymën a nuk ka pas me rregulluar kurrgjë hiç…Edhe tash e kanë dënuar me 12 vjet burg, le ta prekim more ata gjyqtarë kryet pak me iu pas djeg djali i tyre çka thonë ata, çka kishin thënë. Pa kurrgjë se me faj ani, me faj hiç nuk isha ni me ma pa djeg djalin me faj…Reshati, ai e ka përgatitur atje brenda 5 minutash janë kthyer tek bunari në Studeçan me pi kafe, avokati vet i ka thënë a ka mundësi për 5 minuta me u krye puna ta zëmë, këta se me demek këta e kanë kryer Fadili me atë. A ka mundësi këta me e krye punën për 5 minuta edhe me u kthye tek bunari, nuk ka mundësi”, shprehet ai.

Avokati i familjes Bytyqi, Blerim Mazreku për KP, ka bërë të ditur se pasi ta pranojnë aktgjykimin e gjykatës do të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.

“Ende nuk e kemi pranuar aktgjykimin e gjykatës. Pasi ta pranojmë, do të paraqesim ankesën”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.

Kujtojmë se vrasja e Abedin Bytyqit kishte ndodhur në tetor të vitit 2016 në fshatin Peçan të Suharekës.

Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzonte Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi. Resmije Bytyqin e akuzonte për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu e akuzonte për mos lajmërim të veprës penale. Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë duke e rrahur. Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin. Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Po ashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.