Anëtarësimi në NATO,  fillimisht një proces politik

Anëtarësimi në NATO,  fillimisht një proces politik

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në vitin 2015 përmes një raporti ofroi zgjidhje dhe alternativa se si të ecë Kosova drejt anëtarësimit në NATO.

Ky raport adresoi sfidat kryesore dhe marrëdhëniet e ndërlikuara që ekzistojnë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s. Hulumtimi ka nxjerrë në pah se procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO sfidohet nga pengesa të jashtme dhe të brendshme. Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që është jashtë procesit të zgjerimit të NATO-s. Për më shumë, vendi nuk ka vendosur ndonjë bashkëpunim dhe marrëdhënie zyrtare e kontraktuale me NATO-n. Kjo për shkakun të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga katër vende të NATO-s, qëndrimit neutral të NATO-s ndaj Kosovës si shtet që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe për shkak të zotimit të NATO-s që misioni i saj në Kosovë (KFOR-i) të vazhdojë të funksionojë në terren sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tashmë tre vjet më vonë, Plator Avdiu nga kjo qendër mendon se shumë pak hapa janë ndërmarrë në këtë aspekt.

“Me përjashtim të një komunikimi që e ka pasur kohët e fundit ish-kryeministri Isa Mustafa që ndoshta shënon hapin më praktik që është bërë ndonjëherë në Kosovë në raport me NATO-n. Ka pasur një shkëmbim zyrtar të letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për me ca atë murrin që është bllokuar Kosova sa i përket anëtarësimit në NATO”, tha Avdiu, shkruan rtv21.tv

Ai mendon se ky murr është vendosur nga vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Këtu bënë pjesë edhe Spanja e cila sipas tij, ka qenë dhe vazhdon të jetë shteti që fuqishëm bllokon rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

“2020 nuk më duket datë optimiste, nëse i referohemi edhe anëtarësimeve të mëparshme të vendeve të tjera. Kosova edhe nuk është as në fazën fillestare të anëtarësimit, as nuk ka aplikuar në fakt”, përfundoi Avdiu.

Në konferencën rajonale të sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se synohet që brenda kësaj dekade, deri në vitin 2020 të arrihet faza e dialogut, gjegjësisht të përmbyllet anëtarësimin në NATO./21Media