Panik te personat që ndodheshin në bordin e avionit

Panik te personat që ndodheshin në bordin e avionit

Një avion i linjës “Blue Panorama” ka pësuar defekt teknik mëngjesin e të dielës pak minuta pas ngritjes nga Rinasi.

Pasagjerë që ndodheshin në bordin e avionit njoftuan se pas nisjes për në Ancona, në kohën kur avioni ndodhej mbi Durrës, ka pasur depërtim të tymit në kabinë të shoqëruar me erë.

Në bordin e avionit që ka pasur defekt në motor mësohet se kanë qenë 48 pasagjerë mes të cilëve edhe gra shtatzëna dhe fëmijë.

Depërtimi i tymit dhe era e keqe në kabinë kanë shkaktuar panik tek personat që ndodheshin në bordin e avionit të cilët janë alarmuar edhe nga kthimi i menjëhershëm i avionit për ulje emergjente në rinas. Sipas të dhënave të trafikut ajror, avioni ka bërë ulje të detyruar në pistë në ora 07:57 të mëngjesit.

Sipas grafikut të nisjeve të publikuar nga vetë aeroporti i Rinasit, avioni i linjës “Blue Panorama” që duhej të nisej për në Ancona në ora 07:15 të së dielës, është nisur me dy orë e gjysmë vonesë, duke u ngritur nga Rinasi në ora 10:00.

Pas uljes emergjente të avionit pasagjerët janë detyruar të presin për mbi dy orë në aeroport ndërsa kanë njoftuar se ekuipazhi nuk i kishte lejuar të fotografonin apo të filmonin momentet kur avioni ka futur tym në kabinë.

Pasagjerët kanë kërkuar sqarime pranë zyrave të kompanisë në aeroport, dhe sipas tyre, shpjegimi që u është dhënë për uljen emergjente dhe vonesën e fluturimit, ka qenë një defekt teknik.

Pas pritjes për dy orë e gjysmë në Rinas, avioni është nisur në drejtim të Italisë. Vonesat e avionëve nga aeroporti i Rinasit janë kthyer në një problem të përsëritur vitet e fundit për disa prej kompanive që operojnë në Shqipëri./oranews