Jashari kërkon të ndryshohet rregullorja e brendshme e Kuvendit

Jashari kërkon të ndryshohet rregullorja e brendshme e Kuvendit

Ankesat më të mëdha te Avokati i Popullit kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor dhe administratën. Avokati gjatë vitit 2016, ka rritur numrin e rekomandimeve për institucionet publike krahasuar me vitin 2015, por ka rritur edhe hetimet me vetiniciativë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë se problem mbetet trajtimi i raportit vjetor të Avokatit të Popullit në Kuvendin e Kosovës. Ai bëri të ditur se zyrtarisht kanë kërkuar që të ndryshohet rregullorja e brendshme e Kuvendit që është pengesë që të debatohet raporti në seancë plenare.

“Është mjeti i fundit që do të duhej të shfrytëzohej nga parlamenti dhe në referimet tona të më hershme, mirëpo, edhe në komunikimin me komisionet përkatëse funksionale në Kuvend, ne kemi trajtuar këtë çështje dhe kemi kërkuar tani më edhe zyrtarisht me një dokument, në të cilin kemi kërkuar që të ndryshuar rregullorja e brendshme e Kuvendit që është pengesë tani që ky raport i Avokatit të Popullit të debatohet në seancë plenare në Kuvend, ku të gjithë deputetët mund të ngritin shqetësimet ose të sfidojnë qeverinë sa i përket moszabatimit”, tha ai.

Sipas Avokatit të Popullit qëllimi i kësaj është që Kuvendi të ndërmerr hapa konkret në mënyrë që të gjitha rekomandimet të zbatohen nga Qeveria.

“Nëse kjo nuk ndodh unë jam pak skeptik që mund me pas suksese sepse ne vazhdimisht mund të prodhojmë rekomandime,por nëse ato nuk zbatohen qëllimi nuk arrihet edhe vetë idesë së krijimit të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe vetë ligjeve, ose vetë Kushtetutës e cila e ka përcaktuar si mekanizëm të vetëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë cfarë ës htë Institucioni i Avokatit të Popullit”, tha Jashari.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari bëri të ditur se gjatë vitit 2016 hetimet me vetë-iniciativë janë rritur për 100%, në krahasim me vitin 2015.

Po ashtu, ai tha se në Institucionit e Avokatit të Popullit në mas të madhe janë të përfaqësuar edhe grupet e cenueshme.
Ndërsa, ai bëri të ditur se në këtë Institucion është e përfaqësuar edhe e drejta e punës.

“Nëse flasim për sektorë, kemi gjithashtu dallime të sektorit publik dhe privat, nga natyra e problematikave dhe gjithashtu është e përfaqësuar në masë të madhe e drejta e punës. Në sektorin publik ju referohemi joefektivitetit të mekanizmave mbrojtës ose mosekzekutimit të vendimeve që tashmë janë marrë për ato raste të caktuara. Ndërsa, sektori privat është situatë shumë ma e rëndë sepse shumica e punonjësve në sektorin privat nuk kanë kontrata”, tha ai.

Po ashtu, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, bëri të ditur se më parë kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ligj i cili është miratu nga Kuvendi që ka të bëjë me kundërvajtjen në Kosovë dhe që kanë konsideruar se përbënë cenim të rëndë të parimeve kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare.